
Pas zënkës në minutat e fundit të ndeshjes së djeshme mes Teutës dhe Luftëtarit, lojtarët Albi Dosti dhe Albano Aleksi kanë reaguar për sherrin. Të pyetur nga mediat futbollistët kanë dhënë versionet e tyre për situatën, ku lojtari Aleksi i Luftëtarit insiston se Dosti donte ta dëmtonte me qëllim, por gjithsesi sipas tij, ai i uron suksese lojtarit kundërshtar. Albi Dosti nga ana tjetër, tha që Aleksi e kishte provokuar dhe sharë gjatë gjithë ndeshjes,por gjithsesi gjithçka është mbyllur. Deklaratat e lojtarëve: Albi Dosti: “Së pari jam shumë i lumtur që arritëm të fitonim në një ndeshje shumë të vështirë. Luftëtari u mbrojt me forca të shumta dhe e patëm të vështirë për të gjetur hapësira në prapavijën e tyre. Gjithsesi, këmbëngulëm dhe arritëm të shënonim dy herë, duke siguruar një trepikësh me shumë vlera për skuadrën tonë.
Sa i përket rastit të incidentit me Albano Aleksin, dua të them se jam ndier i provokuar përgjatë gjithë lojës nga ai. Është përpjekur të më nervozojë duke më sharë gjatë të gjithë lojës. Futbolli luhet me këmbë dhe jo me gojë. Gjithsesi, ky ishte një incident që i ngelet fushës së lojës dhe ndodh në futboll. Por, s’ka asnjë hatërmbetje nga ana ime”, Albano Aleksi: “Dosti ndërhyri në mënyrë të qëllimtë për të më dëmtuar. Nuk e kuptoj arsyen e kësaj dashakeqësie të Dostit. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me atë, ndaj nuk arrij të kuptoj se përse donte të më dëmtonte me ndërhyrje. Gjithsesi, kjo i ngelet fushës së lojës dhe nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’i uroj suksese Dostit”
teuta11 by newsport-albania