
Amir Abrashi është lojtari më i ri i Grasshopers në Zvicër. Kapiteni i kombëtares shqiptare do mbajë për dy sezonet e ardhshme fanellën e zviceranëve.
Largimi nga Freiburgu në janar të këtij viti e pa Abrashin te Basel, me zviceranët që nuk e shfrytëzuan të drejtën e blerjes së lojtarit. Tanimë Abrashi do luajë me Grasshopers, duke u rikthyer pas gjashtë vitesh te ish-klubi i tij.
Pesë vite me Grasshopers, Abrashi nga 2010-2015 luajti 155 ndeshje me skuadrën ku ka firmosur sërish. 31 vjeçari ka nisur nga puna në klubin bardhekaltër, duke thënë fjalë zemre.
"Gjithmonë kam dashur të kthehem te Grasshopers dhe tani ishte koha e përkryer për ta bërë. Unë me të vërtetë mezi kam pritur të kthehem në shtëpi!", tha Amir Abrashi në kthimin e tij në Zyrih.