Mario Gurma e mbylli me futbollin e luajtur. Sulmuesi u rikthye në fushë gjatë merkatos së janarit duke firmosur për ekipin e vendlindjes, Butrintin dhe në fund arriti objektivin. Skuadra sarandiote arriti të ngjitej në Kategorinë e Parë, ndërsa Gurma e mbylli me 19 gola e 10 asiste duke qenë një nga lojtarët më të mirë të skuadrës edhe pse në moshën 39-vjeçare. Ditën e djeshme, Bashkia Sarandë organizoi një festë për këtë arritje, ndërsa nuk mungoi as fjalimi i Gurmës që njoftoi largimin nga futbolli.
“Kjo fitore ishte një fitore e madhe, është një fitore që e dha grupi, çunat në fushë dhe ata nga jashtë me në krye Kryetarin e Bashkisë. Për mua ishte një udhëtim shumë i bukur, në finale u thashë çunave që unë jam shumë krenar për këtë grup, për atë që bënë për Butrintin dhe këtë fanellë.
Ne ishim mbi kokë dhe nuk lamë që asgjë të binte në tokë, por u sforcuam në maksimum dhe jemi shumë të kënaqur me atë që dhanë lojtarët. Besoj se ky grup, pasi unë jap vetëm këshilla duhet të jetë edhe vitin tjetër. Butrinti duhet të fillojë nga ky grup për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ri e të luajë shansin e tij në Kategorinë e Parë.
Jam krenar edhe për një gjë tjetër që jam nga Saranda që e mbylla karrierën time me fanellën e Butrintit. Të shtunën isha shumë i emocionuar pasi për një lojtar është gjë e madhe kur fillon futbollin, kur luan si profesioist dhe e bën prefesion. Është e vështirë për ta lënë futbollin, por jam krenar që e mbylla me këtë ekip. Vetëm mund t’iu falenderoj për këtë gjë”, u shpreh Mario Gurma.