
Juxhin Xhaja pritet të jetë arbitër kryesor në derbin e së premtes Partizani -
Tirana. Burime të besueshme në FSHF bëjnë me dije për neësport.al, që gjyqtari
që mban edhe stemën e FIFA-s është parë si i duhuri për të vendosur drejtësi në
këtë sfidë mjaft të rëndësishme. Pikërisht për këtë arsye bëhet e ditur për newsport.al
që ai është lënë pushim javën e shkuar, në mënyrë që të mos krijonte polemika
një javë para derbit.
Për Xhajën nuk është hera e parë që gjykon një sfidë të tillë, pasi në maj të vitit 2017-të, ai arbitroi në ndeshje e "Selman Stërmasit" ku Partizani fitoi me një penallti të kontestuar të Idi Bathës që sot luan për ngjyrat bardheblu. Edhe pse s'është zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit, 29-vjeçari nga kolegjiumi i Tiranës është "projektuar" për të qenë arbitër kryesor i takimit që do të luhet në "Air Albania Stadium", Partizani - Tirana. Kjo ndeshje është caktuar të zhvillohet në orën 19:00. /newsport.al/