
Tekniku i Skënderbeut Orges Shehi i ka dhënë rëndësi maksimale takimit të nesërm në fushën e Flamurtarit në orën 17:00.
Në konferencën për shtyp për mediat, numri 1 i pankinës së kampionëve në fuqi theksoi se ai ka në dorë shumë alternativa për të hedhur në fushë, pasi falë merkatos skuadra ka në përbërje 6 lojtarë cilësorë.
"Rëndësia e sfidës ndaj Flamurtarit? "Në disa javë nuk po merrnim pikë, edhe pse nuk po luanim keq. Me fitoren ndaj Laçit, për më tepër edhe me një lojë të mirë, tani shpresojmë për vazhdimësinë. Mendoj se ndaj Flamurtarit do të jetë një ndeshje si derbi, për rivalitetin e fortë mes dy kundërshtarësh. Në Vlorë kemi fituar vitet e fundit, por kjo ndeshje ka vlerësimin tim maksimal. Shpresojmë të bëjmë maksimumin, në vazhdën e takimeve të fundit, duke parë që luhet në kushte dhe fushë të mirë.
Rezultatet e merkatos së janarit? Ka ende shumë gjëra për t'u zgjidhur. Kemi problem edhe me të huajt, që duhen përshtatur. Kemi më shumë se 6 që kanë cilësi, dhe që meritojnë të jenë në fushë, ndaj edhe ka dilema", deklaroi tekniku i korçarëve.
Skënderbeu i dha fund serisë së 6 ndeshjeve pa fitore duke mposhtur javën e kaluar në shtëpi Laccin me rezultatin 2-1 duke dhënë shpresa se skuadra është në gjendje ta kapërcejë krizën e dy muajve të fundit.