
Mirel Josa ka folur pas humbjes 1-0 kundër Skënderbeut. Trajneri i Tiranës ka deklaruar për mikrofonin e Supersport:
"Pesha e klasifikimit dhe episodet ishin ato që vendosën. Në përgjithësi unë jam i kënaqur me skuadrën. Duhet t'i kishim shënuar Skënderbeut. Në pjesën e dytë presioni u rrit. Skënderbeu rriti forcën sulmuese. Unë nuk kam asnjë lloj pretendimi karshi skuadrës time. Kemi dy ndeshje të vështira, qoftë me Gjirokastrën që të pretendojmë për mbijetesën.
Që pas humbjes me Vllazninë në Tiranë kam menduar për mbijetesën pasi kisha dyshime. U nervozova me Teqjën pasi mund të na penalizonte sot, por edhe për ndeshjen tjetër. Gjyqtarët kur vendosin diçka nuk e kthejnë më mbrapsh, ndaj lojtarët nuk duhet të reagonin ashtu.
Unë reagimin tim karshi njerëzve të federatës e bëra, por megjithatë nuk e kam parë tamam. Edhe ne duhet të qetësohemi nga ana jonë, pasi janë gjyqtarët ata që vendosin. Për penalltinë nuk e di, pasi nuk kam parë gjë sepse ishte rrëmujë. Gjyqtari është simpatik, gjithë ai djalë, por punën duhet ta bëjë mirë.
Dy fitore në dy ndeshjet e fundit, në qoftë se duan të na i japin, i pranojmë. Unë nuk dua të tensionoj skuadrën, pasi vijmë te ajo që ndodhi në fushë mes futbollistëve dhe gjyqtarit. Duhet të kishim bërë një punë më të mirë me Hoxhallarin dhe Merveil. Skënderbeu na rrezikoi në 2-3 këndore që mori Kristi Vangjeli", ka përfunduar Josa.