Massimo Oddo, trajneri i Pescara-s shpreh vlerësimet e tij për kapitenin e skuadrës së tij dhe njëkohësisht mesfushorin e kombëtares kuqezi, Ledian Memushaj. E vlerëson në shifrat e 5-6 milionë eurove, por që tekniku italian kërkon që ta mbajë me çdo kusht në skuadrën e tij.
Veç Memushajt, ai shpreh dhe vlerësime për të sapoafruarin në skuadër, sulmuesin shqiptar Rey Manaj, i cili u huazua për një vit nga Interi te "Delfinët". Në një deklaratë për mediat italiane, Oddo shprehet:
"Për ne Ledian Memushaj është lojtar thelbësor. Do ta mbajmë fort, por nëse për të vjen ndonjë ofertë e çmendur 5-6 milionë euro, do ta lëmë të largohet me shumë kënaqësi. Jam shumë i kënaqur me merkaton, gjithçka është vendosur në sintoni të plotë me drejtuesit. Kemi bërë atë që kemi mundur, por sigurisht nevojitet më shumë. Nuk duhet të nxitojmë, sepse kemi në dispozicion një sulmues si Manaj, që ka potencial për t’u bërë një futbollist i madh".