Ernest Gjoka ka folur para ndeshjes me Vllazninë që Kukësi do të luajë në javën e 19-të të Superiores. Trajneri i verilindorëve ka analizuar gjendjen e ekipit të tij para sfidës me shkodranët teksa deklaroi për mikrofonin e Supersport:
SITUATA – “Kemi zhvilluar një mini-fazë përgatitore shumë të mirë dhe mund të them se jemi gati për ndeshjen me Vllazninë. Sapo është kthyer Karioka, i cili kishte marrë leje për një problem familjar, Greca vijon fazën e riaftësimit, ndërsa Alla do të mungojë për arsye dëmtimi. Rrumbullaku do të luajë titullar, ndërsa Kale do t’i duhet edhe pak kohë për t’u përshtatur”.
VLLAZNIA – “Përgatitjet e skuadrave nuk ngjasojnë me njëra-tjetrën. Vllaznia mbetet një skuadër e fortë që duhet respektuar dhe do të jetë fusha e blertë ajo që do të tregojë se cila skuadër është stërvitur më mirë.”
TRANSFERTAT – “Ne nuk kemi pësuar asnjë humbje në transfertë dhe shpresojmë që të vazhdojmë kështu. Sigurisht që për t’u shpallur kampion duhet të fitojmë më shumë ndeshje jashtë.”
GARA – “Skënderbeu shkoi deri +8 pikë nga ne, por sot është pas nesh në renditje. Prandaj parashikoj një garë të ashpër deri në fund.”