
Tirana arriti të fitonte sot me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Shkumbinit në ndeshjen e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë kaluan në raundin tjetër, ndërsa pas ndeshjes trajneri Orges Shehi foli për mediat duke treguar gjendjen e lojtarëve që ishin të infektuar me covid-19, por edhe ndeshjen e radhës ndaj Teutës në kampionat.
"Seferi, Ngoo dhe Ismailgeci kanë dalë negativë në testin e fundit, por dihet që duan kohë për të qenë të gatshëm pasi nuk janë stërvitur me ekipin. Shpresojmë që këto ditë edhe Hoxhallari të dalë negativ e të bashkohet me skuadrën".
Sfida ndaj Teutës? "Mesa kam dijeni unë, klubi ka bërë një kërkesë në Federatë për të shtytur këtë ndeshje, por nuk e di nëse do të aprovohet apo jo. Ne duhet të përgatitemi për të luajtur ditën e diel. Kemi kaluar një periudhë të vështirë dhe luajmë ndaj një rivali direkt. Disa nga lojtarët e formacionit nuk janë gati, por do të marrim disa futbollistë nga U21 që të plotësohemi për këtë ndeshje", u shpreh Shehi.