
Tirana nuk gjen qetësi. Ekipi që e nisi këtë sezon si pretendent kryesor për titull, po kalon një situatë problematike në rezultate. Mes paqartësisë për të ardhmen e teknikut Mema, largimit drejt ekipit B të Hoxhallarit apo edhe paralajmërimeve për masa ndaj pjesës tjetër të ekipit, skuadra po kalon edhe disa dëmtime.
Argjentinasi Torrasa rrezikon të mungojë për 4 javë, pasi ka probleme në kofshë. Ai ka bërë një kontroll të specializuar për të njohur edhe gradën e dëmtimit. Ndërkohq që vijojnë të jenë të lënduar futbollistë si Hasani, Kërçiku apo edhe Ilion Lika.
Përgatitjet për vijimin e kampionatit po vijojnë me dy seanca në ditë, me grupin e rrudhur. Veç të dëmtuarve, mungesa të tjera janë ato të Gentian Muçë-s dhe Ernest Muçi-t, me këtë të fundit që është i grumbulluar nga kombëtarja e moshave. Plot gjashtë mungesa në stërvitje për Ardian Memën.