Gaz Demi ka folur pas fitores 2-0 të Partizanit kundër Tiranës. Presidenti i klubit të kuq u shfaq i lumtur në përfundim të takimit duke dhënë edhe një prononcim të shkurtër për gazetarët.
Ai ka kujtuar fitoren e famshme 5-1 të bardhebluve kundër të kuqve para dy sezoneve. Ndërkohë është ndalur te tifozët duke treguar se pse ka dashur që ndeshja të luhet në stadiumin e Partizanit. Për gazetarët, kreu i klubit të kuq ka thënë:
“Fitore siç e meriton Partizani! Çfarë e bukur ishte, 2-0, humbëm penallti, për 3-0. Ata na kanë mundur 5-1 ne. Faji i tifozëve nga të dyja palët për ndërprerjet. Nuk kemi çfarë t’i bëjmë janë sportdashësit tanë. Nuk i kritikojmë dot, prandaj doja ta bëja derbin te stadiumi i “Partizanit”, sepse atje janë me sjellje shumë shumë të mirë. Ata e meritojnë edhe këtë sjellje, fitorja i ka këto gjëra.
Janë edhe 12 javë, para 8 javësh më duket ishim 4 pikë para, dolëm 6 pikë mbrapa, tani jemi barazim. Po të mbyllet kampionati sot, po të ndodhi diçka si në Ukrainë, jemi kampionë. Colella ka besimin tim, ka besimin e Olsi Ramës, edhe kështu do të rregullohen këto gjëra”, ka thënë ai.