
Futbolli është pezulluar prej muajit mars dhe vështirë se do të ndizet drita jeshile për të rifilluar këto ditë. Qeveria dukshëm i ka kthyer shpinën çdo aktiviteti sportiv dhe për këtë Klevis Gjoka kërkon nga instancat përkatëse të rishohin edhe njëherë vendimet e tyre.
Drejtori teknik i klubit të Burrelit në një prononcim për mattv është shprehur se tanimë është momenti për t’iu rikthyer normalitetit duke zbatuar me përpikmëri masat e qeverisë.
“Shohim çdo ditë lehtësira për rinisjen e aktiviteve dhe shumë mirë bëhet. Por institucionet nuk flasin për rifillimin e kampionatit të futbollit. Mendoj që ashtu si aktivitetet e tjera, edhe ata duhet të nisin tashmë, normalisht duke zbatuar rregullat e mbrojtjes ndaj Covid-19. Ne edhe pse ndodhemi në këtë situatë, nuk kemi përfituar asgjë nga FSHF, ndaj kjo e fundit duhet të mendojë rinisjen e garës.
Ne duam që djemtë të zbresin në fushë pasi vetëm ky muaj ka mbetur për të zhvilluar garën sepse më pas, ne nuk i kemi kushtet e përshtatshme, por jo vetëm ne, të gjitha ekipet e kategorisë së parë”, është shprehur ai.
Ndërkohë, paketa e ndihmës së FSHF ndaj klubeve sportive përjashtoi ato të cilat varen nga bashkitë, ku një ndër to është edhe ekipi i Burrelit.