
"Ju e bëtë, ju e thatë, ju e shkruajtët, ju e vratë", këto janë fjalët apo komentet që dëgjon teksa flitet për portierin e Partizanit, Aldo Teqjën. Djaloshi që kaloi një sprovë të fortë në jetën e tij, falë Zotit ia ka hedhur paq dhe tashmë ka nisur të rikuperohet. Ngjarja e 24-vjeçarit, rënia nga kati i shtatë i pallatit ishte një dramë e vërtetë.
Fillimisht u raportua si një ngjarje ku thuhej nga mediet dhe portalet se ai futbollisti ishte vetëhedhur për shkak të një debati me të fejuarën e tij. Por më pas lindi versioni se Teqja është rrëzuar aksidentalisht duke ndrequr tendën e ballkonit. Të gjithë u turrën të masakronin mediet dhe portalet, askush policinë e shtetit që ka dalë me njoftim zyrtar duke lajmëruar se lojtari dyshohet se është vetëhedhur.
Në një moment kur njoftimet e policisë janë bazike, pse askush nuk flet apo akuzon uniformat blu? Futbolli buzëqeshi që 24-vjeçari shpëtoi, sportdashësit u lumturuan që "gardiani" po shërohet dhe dalëngadalë do të jetë aty... duke kontribuar për lojën më të bukur në botë. Por, as mediet dhe as portalet s'kanë asnjë faj në pasqyrimin e lajmeve të tyre. Gjithësesi e rëndësishme është që Aldo të ketë shëndet të plotë dhe të rikthehet sa më shpejt në fushën e blertë.