
Arbi Laçi është i ftuar në emisionin "Skaner" të drejtuar nga Gerti Çarçani. Ish-drejtori sportiv i Tiranës u shpreh se cilësia në Superiore këtë vit mungon, pavarësisht se rivaliteti është i fortë. Pikërisht kjo sipas tij tregon se skuadrat janë të gjitha njësoj.
Në këtë moment, përmes një mesazhi në telefonin e Gerti Çarçanit ndërhyri Ylli Aga. Ky i fundit i kujtoi Laçit se "El Mundo Deportivo" e cilësonte kampionatin shqiptar me rivalitetin më të fortë. I menjëhershëm ishte dhe përgjigja e Arbit, i cili tha:
"Më duket si ato raportet që thotë Basha: "Thanë tjerët për ne". Kjo nuk na duhet. Po analizojmë statistikat dhe nivelin e lojës që kemi parë këtë vit. Nuk është e nevojshme se çfarë thonë të tjerët. Ne jemi të detyruar t'i imponohemi tregut, sa i përket lojtarëve. Nuk po damkosim kampionatin si të shëmtuar.
Nuk po bëjmë anti-reklamë. Kush është ekipi që e bën të bukur një kampionat? Patjetër që kampionja. Kujtojmë Skënderbeun që mbushte arkat për vite me radhë. Sot të pestat skuadrat që janë në krye kanë bërë rokadë dhe nuk kanë bindur me cilësitë e tyre".