Vllaznia do të luajë ndeshjen e javës së 15 në transfertën e Korçës. Ekipi i drejtuar nga maqedonasi Mirsad Jonuz, ndodhet që prej ditës së djeshme në Pogradec, duke u përgatitur në maksimum për ndeshjen ndaj Skënderbeut. Ndeshja e datës 14 dhjetor do të luhet në orën 16:00, me trajnerin shkodran që në deklaratën përpara ndeshjes ka kërkuar tri pikët nga skuadra e tij. Për faqen zyrtare të Vllaznisë, Jonuz është shprehur:
– Profesor, si paraqitet gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me
Skënderbeun?
– Gjithçka është normale. Situata në ekip është krejt e mirë dhe nuk kemi asnjë
dëmtim. Megjithatë, për më tepër do të shohim edhe seancën e sotme që është e
fundit, për të konstatuar situatën e të gjithë futbollistëve. Në rradhët e
ekipit ka optimizëm dhe shpresoj t’ia dalim me sukses.
– Në fazën e parë Vllaznia ka fituar 4-0 ndaj këtij kundërshtari në
Shkodër. Çfarë prisni nga kjo sfidë e dytë me ekipin korçar?
– Kjo është një ndeshje tjetër dhe nuk ka asgjë të përbashkët me atë të fazës
së parë. Kemi të bëjmë me një ndeshje të rëndësishme dhe njëkohësisht të
vështir. Këto dy takime kanë shumë ndryshime me njëri- tjetrin, por ajo që nuk
ndryshon është se futbollistët e mi janë të inspiruar për të bërë më të mirën
edhe këtë herë.
– Do të ndryshoni ndonjë gjë në mënyrën e lojës apo dhe formacionin
në krahasim me ndeshjen e kaluar ndaj Luftëtarit?
– Mënyra e lojës nuk do të ndryshojë, por në minutat e fundit, ndoshta
ndryshojmë ndonjë lojtar në formacionin bazë. Megjithatë ende nuk e kam
vendosur përfundimisht.
– Vllaznia ka bërë mirë në ndeshjet në transfertë këtë sezon. Do të
vijojë seria e rezultateve pozitive edhe këtë herë?
– Unë nuk do ta shikoja në këtë aspekt. E rëndësishme për Vllazninë është të
grumbullojë sa më shumë pikë, pavarësisht faktit nëse luan në fushën e saj apo
në transfertë. Për ne vlejnë pikët dhe ngjitja sa më lart në tabelën e
klasifikimit.
– Vlen edhe barazimi apo objektiv është vetëm fitorja për Vllazninë
në këtë ndeshje?
– Ne shkojmë vetëm për fitore.