Një sezon i suksesshëm ka qenë ky për Ernest Muçin, i cili u kompletua në mënyrën më të mirë të mundshme me fitimin e Kupës së Turqisë, pasi skuadra e tij Trabzonspori mposhti në finale Konyasporin në shifrat 2-1.
Sulmuesi shqiptar ishte përgjatë gjithë takimit aktiv duke ndihmuar të tijët me aksione dhe vertikalizime, ndërsa ishte protagonist dhe në golin e parë të shënuar nga Onuachu.
Një medalje e merituar dhe një triumf që përshkruan dhe mentalitetin e fituesit të 25-vjeçarit, pasi kjo vërtetohet më së miri dhe në eksperiencat e së kaluarës.
Gjithçka nisi në Superiore me Tiranën, ku Muçi ndërtoi profilin e tij si futbollist duke fituar titullin në sezonin 2019-2020. Më pas, ish-i bardheblu kalon në Poloni te Legia e Varshavës, aty ku shpallet kampion në sezonin 2020-2021, teksa fiton dhe Kupën (2022-23) si dhe Superkupën (2023-24).
Kapërcimi i madh vjen me transferimin e tij në Ligën turke, ku ai firmos për Besiktasin ku luajti për 2 sezone. Me këtë skuadër, pogradecari fitoi dy trofe, Kupën (2023-24) dhe Superkupën (2024-25). Momenti më kulminant vjen pikërisht këtë edicion, ku sulmuesi merr dhe trofeun e tij të 8-të me klubin nga Trabzoni.
Numra mbresëlënës për një futbollist që premton shumë për të ardhmen, si në kampionatin turk ku u ble për 8.5 milionë nga Trabzonspor dhe për Kombëtaren shqiptare, kjo pasi në stol nuk është më Sylvinho por Rolando Maran, një trajner i spikatur kryesisht në kampionatin italian.
