
Qazim Laçi dhe 3 shqiptarët e tjerë, Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi e Indrit Tuci, udhëhoqën Spartën e Pragës drejt kualifikimit historik në fazën e grupeve të Champions League pas fitores 2-0 ndaj Malmo, autor i njërit prej golave ishte sulmuesi dardan, Rrahmani. Gati 2 dekada, 19 vite, që nga hera e fundit kur gjigantët çek ishin pjesë e 32 më të mirave të Europës.
Mesfushori i Kombëtares është kthyer në një lider absolut për kryeqytetasit duke ‘blinduar’ vendin e titullarit në mesin e fusës. Së fundmi ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ç’ka flet qartë për reputacionin e tij në ekip.
Krenari dhe festë e madhe në Pragë, sigurisht edhe për lojtarët e familjarët e tyre. Babai i Qazim Laçit, Emini, është tifozi i tij më i madh dhe nuk harron kurrë të shprehë mbështetjen e tij me disa fjalë emocionuese para ndeshjeve të rëndësishme.
Kështu ndodhi para ndeshjes dhe gjithashtu pas saj ku krenaria dhe emocionet dukeshin qartë ndër rreshta.
“Zemra babit, ti mbrëmë shkruajtë historinë me ekipin e Spartës. Pas 19 vitsh arritët të kualifikoheni në Champions League. Zemra babit, ti vazhdo kështu si e ke nisur, kështu do ta mbyllim. Kush punon, nuk humbet. Kapiteni babit, të uroj babi të arrish majat më të larta të futbollit. Të kemi zemër, babi, mami dhe Riku”, shkruan Emini.