
Igli Tare është drejtori i ri sportiv i klubit të Milanit. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare ka firmosur me italianët një kontratë 2-vjeçare, me opsion rinvoimi edhe për një vit tjetër. Ndërkohë që paga e tij do të jetë 800 mijë euro në vit.
Menjëherë pas firmës së Tares me Milan, ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Duka e uron 51-vjeçarin për këtë arritje, duke i uruar suksese në “misionin” për të rikthyer Milanin në nivelet më të larta.
Reagimi i Armand Dukës:
Urime Igli! Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit, është një arritje vërtetë e rëndësishme.
Besoj fort se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni yt do ta ndihmojnë këtë klub legjendar të rikthehet në nivelet që i takojnë, ashtu si në kohët e lavdishme të historisë së tij.
Ti ke dëshmuar më parë te Lazio, ku për vite me radhë ke ndërtuar me sukses një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare.
Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën.