
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi sot organizimin e kampionatit Europian U-21 të vitit 2027, duke konfirmuar se Shqipëria dhe Serbia do të jenë vendet pritëse të këtij eventi madhor të futbollit europian.
Kjo është hera e parë që Shqipëria merr përsipër organizimin e një turneu të tillë në këtë nivel, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe promovimin ndërkombëtar të vendit.
Sipas vendimit të marrë, ndeshja hapëse e turnet do të zhvillohet në Serbi, ndërsa finalja do të luhet në Shqipëri. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për të dyja federatat, të cilat kanë punuar ngusht për të prezantuar një ofertë të sukssesshme për UEFA-n.
Organizimi i këtij kampionati do të sjellë përfitime të shumta për futbollin shqiptar, duke përfshirë investime në stadiume, rritje të cilësisë së infrastrukturës sportive dhe një vëmendje më të madhe nga institucionet ndërkombëtare të futbollit. Shqipëria do të ketë mundësinë të tregojë përparimet e bëra në zhvillimin e këtij sporti dhe të dëshmojë aftësinë për të pritur ngjarje të rëndësishme në arenën europiane.
Tashmë priten detajet e tjera nga UEFA dhe dy federatat përkatëse, për qytetet pritëse dhe ndarjen e ndeshjeve mes dy vendeve.