
Kombëtarja shqiptare e futbollit është gati për të zbritur në fushë pas një Europiani mjaft pozitiv. Kuqezinjtë do të luajnë dy ndeshjet e para të Nations League kundër Ukrainës më 7 shtator, ndërsa 3 ditë më vonë do të përballen me Gjerogjinë në “Air Albana”.
Në lidhje më këto sfida, në një intervistë ekskluzive të dhënë për Newsport.al, ka folur ish-mbrojtësi i Kombëtares, Armend Dallku. Mbrojtësi i cili ka luajtur 64 ndeshje si kuqezi, analizon formën e Kombëtares pas Europianit, teksa thotë se është majft i kënaqur me listën e përzgjedhur nga trajneri Sylvinho për këto ndeshje. Për një afrim të mundshëm të Brajan Grudës te Shqipëria, Dallku thotë se do ta priste me shumë dëshirë dhe krahëhapur.
Si e sheh Kombëtaren e Shqipërisë pas Europianit të Gjermanisë?
Ekipin e shoh shumë të motivuar, duke pasur parasysh dhe rinovimin që është bërë me trajnerin Sylvinho. Shihet që të gjitha palët janë të kënaqura me njëra-tjetrën. Këtu kam parasysh trekëndëshin, FSHF – Trajner – Ekip, shpresoj që të ketë vazhdimësi. Duhet të ketë vazhdimësi të punës dhe të rezultateve. Kemi pasur një paraqitje jashtëzakonisht të mirë në sezonin e kaluar, kështu që ky do të jetë një vazhdimësi e punës si për trajnerin, Federatën dhe futbollistët, ç’ka është me më shumë rëndësi. Kemi të bëjmë me metodologjinë e punës që është e një trajneri që ka firmosur vazhdimësinë e kontratës dhe besoj në rezultate pozitive.
Rinovimi i kontratës me Sylvinhon, e shihni trajnerin brazilian përtej kualifikueseve të Botërorit?
Rinovimi i kontratës është gjëja më e qëlluar që është bërë. Këtu duhet të përshëndesim të dyja palët, FSHF me në krye presidentin Duka dhe trajnerin që kanë gjetur gjuhën e përbashkët për vazhdimin e projektit. Është shumë më e thjeshtë për grupin e futbollistëve të cilët e njohin punën e trajnerit dhe stafit. Pritshmëritë janë përtej kualifikueseve të Botërorit. Gjithashtu, është një mundësi e mirë Nations League e cila na jep një pasqyrë më reale. Ndryshimi i grupit të disa futbollistëve do ta bëjë të veten, si Cikalleshi ku në të gjitha ndeshjet ka qenë titullar dhe ka pasur barrën kryesore në sulm. Tashmë duhet të gjendet lojtari adekuat, që duhet të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Kështu që jam shumë optimist përsa i përket kësaj gjëje, pasi gjithçka e bazoi te vazhdimësia e punës së trajnerit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.
A është Sylvinho trajneri më i mirë në historinë e Kombëtares?
Shqipëria ka pasur trajner të mirë edhe në të kaluarën, por mund të themi që Sylvinho është një ndër më të suksesshmit, nuk e kisha thënë që është më i miri. Sepse është me rëndësi edhe grupi i futbollistëve dhe momenti se ku gjindesh. Mendoj se një nga trajnerët që ka qenë i mirë ka qenë dhe Otto Baric, sepse e kemi pasur vetë trajner dhe kemi punuar me të. Metodologjia e tij ka qenë e jashtëzakonshme, mirëpo atëherë kemi qenë grup tjetër, trajneri ka pasur shumë mangësi sa i përket formimit të grupit. Në atë kohë jo të gjithë lojtarët kanë qenë në klubet e tyre dhe kemi pasur probleme në 11-shen startuese, pastaj 20-shja, apo formimi i grupit më të gjerë ka qenë mjaft problematik. Ndërsa, ditët e sotme Sylvinho ka mundësitë për të bërë përzgjedhje shumë më të mira, pasi lojtarët janë në ekipe elitare që bëjnë futboll të bukur. Trajnerët kanë pasur problem për të ftuar lojtarë, ka pasur dhe nga ata pa ekip që vinin në Kombëtare. Por sot janë titullarë në ekipet e tyre dhe nuk e kanë vendin në disa grumbullime. Mendoj se Sylvinho është trajneri më i suksesshëm, por jo më i mirë. Me Otto Baric kemi punuar bashkë, ndërsa Sylvinhon e kemi parë nga televizori dhe stërvitjet. Ndërsa me Baric kemi pasur kontakte direkte dhe me të vërtetë ka qenë një gjeni i futbollit.
Lista e Kombëtares, cilat ishin surprizat sipas teje?
Mund të them se surpriza mund të quhen grupi i lojtarëve të rinj që kanë ardhur. Zeka, Spahiu, deri diku Hadroj, pavarësisht se Zeka dhe Hadroj janë lojtarë të kampionatit shqiptar dhe normalisht kanë pasur inovacion më të theksuar. Ndërsa grupi i tjetër ka qenë dhe njihet nga trajneri. Unë jam gjithashtu i asaj që të ketë prurje të reja, të ketë ndryshim të disa lojtarëve. Mendoj se shumë futbollistë, sidomos të kampionatit shqiptar mund të kenë mundësi dhe të provojnë veten se si është një organizim i brendshëm i Kombëtares dhe më pas ta përcjellin te ekipet e tyre. Ky është një motiv shtesë, jo vetëm për futbollistin që ftohet, rasti konkret këta çunat e Partizanit, por edhe në të ardhmen të ketë edhe ndonjë futbollsit të ekipeve të tjera. Kështu mendoj se rritet edhe dëshira, sepse ai futbollist kur rikthehet te ekipi pas përfundimit të grumbullimit, normalisht do të ketë biseda me bashkëlojtarët dhe do të tregojë eksperiencën e tij. Do të rritet vullneti i gjithë lojtarëve të atij ekipi dhe nesër apo pasnersër të ketë një futbollist tjetër që e merr ftesën. Është një vendim i qëlluar për afrimin e këtyre elementeve. Pjesa tjetër është në rregull.
Cilët nga lojtarët që nuk janë ftuar për sfidat ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë ju nuk do t’i linit jashtë?
Nuk kisha ndryshuar asgjë te lista. Më pëlqen kombinimi i gjithë listës që është bërë, si djemtë e kampionatit shqiptar dhe të tjerët. Nuk diskutohet për arsye të nevojës apo dëmtimesh është dashur të korrigjohet lista për disa futbollistë, por trajneri ka planin e tij. Lista është në rregull. Muçi dhe Bare normalisht që kanë qenë, janë dhe do të jenë dhe në të ardhmen, por duhet të jenë më kërkues në ekipet e tyre dhe të kenë minutazh më të madh. Bare ka qenë për një kohë të gjatë, ndërsa Muçi është një talent i të ardhmes dhe duhet besuar te ai, pasi mund të na shërbejë për ekipin tonë Kombëtar. Trajneri e ka bërë zgjedhjen e duhur, pasi dhe në listën e Europianit ka pasur shumë kritika, por trajneri është gjithmonë ai që është në ndjekje të lotjarëve dhe bën përzgjedhjen për atë lloji kundërshtari apo ato ndeshje. Ky është grupi më i mirë për momentin dhe duhet ta mbështesim si trajnerin dhe ekipin, pavarësisht se nuk marrim maksimumin në ndonjë ndeshje. Por e rëndësishme është që të kemi besim dhe të gjithë ta ndjejmë mbështetjen e kombit si në Gjermani. Jo rastësisht erdhën paraqitjet e mira, kjo falë edhe tifozëve. I ftoj që ta ndjekin ekipin si në ditë të mira dhe të këqija, pasi Kombëtarja ka nevojë.
Mendoni se Shqipëria do ia dalë që jetë në krye të grupit të Nations League?
Shqipëria besoj që do ia dalë. Normalisht, grupi është i fortë, aspak i lehtë. Por thashë që ne besojmë të vazhdimësia, projekti, trajneri dhe grupi. Duhet t’i marrim ndeshjet me qetësi pasi gjithmonë është e vështirë pas një sezoni të sukesesshëm që kishim sezonin e kaluar. Normalisht do të jetë përgjegjësi e madhe që të ketë vazhdimësi, por mendoj se të gjithë elementet janë përputhur në një mendim. Federatë, trajner dhe grup lojtarësh janë në përputhje dhe kjo punë do të vazhdojë më tutje.
Cilin shikoni si lojtarin më të mirë në Kombëtaren shqiptare dhe pse?
Nuk dua të veçoj ndonjë futbollist, pasi më pëlqen grupi dhe ky i fundit është ai që na kë bërë të ndihemi mirë dhe të kemi rezultate. Mendoj se gjithë kjo punë e bërë, është falë këtij grupi. Duhet falenderuar trajneri Sylvinho, pasi e kemi parë që nuk jep thuajse asnjëherë ndonjë individi. Kemi pasur biseda direkta me trajnerit, falë FSHF-së me në krye Armando Dukën që na ka mundësuar të ndjekim dhe kursin UEFA Pro. Dhe kemi kontakt direkt me Pablo Zabaleta, ndihmësin e Sylvinhos pasi e kemi në grup. Kam bërë pyetje direkte dhe më ka thënë që është ‘tifoz’ i grupit. Por nëse dua të zgjedh një futbollist, Krisjan Asllani duhet përgëzuar për të gjithë atë që ka bërë për Kombëtaren, pavarësisht moshës së re. Luan në një ekip si Interi dhe shpresoj që të ketë rritje, të marrë më tepër përgjegjësi si te klubi italian, por edhe te Kombëtarja. Është një djalosh i artë për ne, por i gjithë grupi duhet të ndihmojë që të kemi suksese në të ardhmen.
Si e shihni një afrim të mundshëm të Brajan Grudës, i duhur për sulmin kuqezi?
Afrimi i Grudës është një forcë shtesë për ne dhe e presim me shumë dëshirë dhe krahëhapur. Duke marrë parasysh që e kemi një vend bosh pas largimit të Cikalleshit dhe Broja ka minuta të pakta, pavarësisht se kam shumë mendim pozitiv për Brojën. Kështu që, afrimi i lojtarëve të tillë na bën të ndihemi më mirë si ne dhe trajneri. Shpresoj që të realizohet sa më shpejt dhe të bashkohet me grupin. Besoj se do të ketë paraqitje shumë të mira dhe kjo falë moshës, pasi janë pothuajse të njëjtë dhe kjo është diçka e mirë pasi është më e lehtë të përshtatet me grupin. I uroj Grudës shumë suksese, ardhje sa më shpejt të mundshme. /Nikoll RAJTA/