
Ka nisur edicioni i katërt i projektit “Talent & Mentor 25-26”, një projekt i rëndësishëm i Federatës së Futbollit që synon zhvillimin dhe profesionalizimin e gjyqtarëve dhe asistentëve të rinj. Programi po vijon me seanca pune dhe analiza praktike të paraqitjeve të talenteve të përfshirë.
Në fokus janë gjyqtarët dhe asistentët e përzgjedhur, të cilët po ndjekin një proces trajnimi dhe vlerësimi profesional. Gjatë seancave u analizuan situata të ndryshme nga ndeshjet ku këta talente kanë qenë në rolin e arbitrit ose asistentit, me qëllim marrjen e vendimeve më të sakta teknike dhe disiplinore.
U analizuan video nga ndeshjet e kampionateve kombëtare dhe u diskutuan rastet konkrete, duke u ndalur veçanërisht aty ku vendimet nuk kanë qenë të sakta. Vetë talentet morën pjesë aktive në analizë për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes.
Në këtë projekt janë të përfshirë gjashtë arbitra dhe dy asistentë. Për rolin e mentorëve të asistentëve janë angazhuar dy asistentë aktivë, Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, të cilët japin mbështetje dhe udhëzime profesionale për zhvillimin e tyre.