Armand Duka do të vazhdojë që të jetë president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithçka u vendos sot në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF, për vitin 2026.
Për kreun aktual të FSHF-së kishte 33 propozime dhe asnjë propozim për kandidatë të tjerë. Armand Duka ka plotësuar formularin dhe ka kaluar me sukses kontrollin e integritetit, duke u zyrtarizuar si president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Edhe me vota dhe me unanimitet të plotë, Armand Duka rizgjidhet president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Asnjë votë nuk ishte kundër apo abstenim, duke bërë që Duka të jetë përsëri në krye të FSHF me 48 vota pro, po aq sa ishin të pranishëm.
Procesi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku delegatët vlerësuan lidershipin, vizionin dhe kontributin e presidentit Duka në zhvillimin e futbollit në vend, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional.
Ky mandat i ri jo vetëm konfirmon lidershipin e presidentit Duka, por edhe angazhimin e FSHF për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, promovim të talenteve të rinj dhe rritje të standardeve të futbollit shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
