Kur Rusia nxori jashtë Botërorit 2018 Spanjën e frikshme, ngjarja zuri vend si njëra prej befasive më të mëdha të në historinë e kampionateve botërore. Ishte hera e parë pas 52 vitesh kur “Ariu Siberian” iu afrua nivelit të ish-Bashkimit Sovjetik kur arriti të zinte në 1966 vend mes katër skuadrave më të mira të botës. Ishte periudha e “Luftës së Ftohtë” kur superfuqia e gjysmës së dytë të botës renditej pas Brazilit, Gjermanisë, Argjentinës, Anglisë dhe Italisë. Me 4 finale kampionati europian dhe një trofe të fituar, paraardhësi i Rusisë së sotme Bashkimi Sovjetik pretendonte se mund të fitonte shumë më tepër se kaq.
Por 16 vite para Kupës së Botës në shtëpi, Rusia nuk pati asnjë cilësi të madhështisë së dikurshme për të mposhtur Shqipërinë e vogël me vetëm 3 milionë €.
Historia e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve nisi me një periudhë “vëllazërie” në vitet 1945-1961 kur të dy vendet bënin pjesë në Bllokun Socialist. Megjithatë, beteja për të mbajtur “flamurin e komunizmit”, kërcënimi i hegjemonisë sovjetike ndaj Ballkanit e shtynë ish-diktatorin Enver Hoxha të shpallte “armik” Bashkimin Sovjetik. Për gati 30 vite, pozicionet ishin të qarta, Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik nuk mund të krijonin asnjë lloj kontakti midis tyre. Por dhe pas falimentimit të sistemit socialist në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Shqipëria me Rusinë ndahen nga mosbesimi dhe dyshimi kundrejt qëllimeve reale që secili prej tyre ka.
Por, shorti i fazës kualifikuese të EURO 2004 i detyroi të dyja kombëtaret të “flisnin në fushë” me njëri-tjetrin pavarësisht mërive, urrejtjes reciproke dhe përkrahjes së hapur që Rusia kishte bërë pro-Serbisë në Luftën e Kosovës.
Në arkivën e futbollit shqiptar, çuditërisht numërohen vetëm 2 përballje mes dy ekipeve, bile asnjëherë nuk u organizua një sfidë miqësore, as në kohën e dashurisë së madhe në vite 50′ dhe ’60. Klima politike kishte ndikuar në këtë distancim mes tyre edhe në futboll.
Më 29 mars të vitit 2003, FSHF-ja caktoi se sfida Shqipëri-Rusi do të luhet në “amfiteatrin” e futbollit shqiptar “Loro Boriçi”.
Përpara se të ndërtojmë momentet e këtij triumfi me histori domethënëse të kujtojmë disa fakte interesante:
-Ish-kapiteni legjendar Foto Strakosha, për hir të respektit dhe adhurimit të tifozëve shqiptarë ndaj tij, anulloi vendimin për t’u tërhequr nga kombëtarja dhe u kthye sërish në aksion për sfidën e shumëpritur me Rusinë.
-Shqipërinë e drejtonte ish-kampioni i Europës dhe ish-nënkampioni i botës me Gjermaninë Hans-Peter Briegel. Ish-lojtari i Veronës ishte tekniku i dytë i huaj që ulej në pankinën e Shqipërisë. Deri në atë takim të paharrueshëm, ish-mesfushori dhe atleti gjerman nuk kishte siguruar asnjë fitore me Shqipërinë.
-Edhe pse Rusia u mposht nga ne atë pasdite pranvere, ata u kualifikuan në EURO 2004, kurse Shqipëria duhej të priste 2015 për të realizuar ëndrrën e pjesëmarrjen në një kompeticion ndërkombëtar futbolli.
-Në stolin e Rusisë ishte ulur tekniku Valeri Gazaev, njeriu që i ka dhënë vendit një sukses të madh në Europë teksa fitoi në 2005 Kupën UEFA me CSKA-në e Moskës. Ai u shpall atë vit si “Trajneri më i mirë” nga UEFA.
Për këtë takim FSHF-ja zgjodhi “Loro Boriçin”. Për herë të parë në një ndeshje zyrtare të kombëtares sonë u valëvitën dhjetëra mijëra flamuj kuqezinj.
Briegel përzgjodhi këtë formacion për sfidën, që do të bëhej e paharrueshme për historinë e futbollit shqiptar: Strakosha, Çipi, Beqiri, Aliaj, Duro, Skela, Hasi, Lala, Murati, Tare dhe Rraklli. Për qendërmbrojtësin shkodran Beqiri kjo ishte një ndeshje e veçantë pasi luante përballë publikut të tij dhe dëshironte me patjetër t’i bënte krenar tifozët e qytetit të tij.
Rusia e kishte shpartalluar disa muaj më parë 4-1 Shqipërinë dhe këtë ndeshje e konsideronin një formalitet. Por Briegel, skuadra dhe tifozët e etur përgatiten një skenar krejtësisht tjetër për rusët.
Takimi fillon me dominimin e skuadrës sonë, e cila fiton pennallti në pjesën e parë. Veterani i sulmit Altin Rraklli nxitohet nga emocionet dhe ia dërgon topin te këmbët e portierit Nizhegorodov. Briegel qëndron nga fillimi deri në fund në këmbë duke ruajtur qetësinë për çdo moment.
Por pak minuta më pas, kombëtarja jonë korrigjon gabimin e bërë të penalltisë së shpërdoruar. Ervin Skela e ul topin bukur në hyrje të zonës dhe gjuan midis dy mbrojtësve shtatlartë, por topi ndalet në tentativën e parë nga portieri rus. Rraklli në momentin dhe vendin e duhur ka ndërmend të mos e çojë dëm aksionin e Skelës dhe me një prekje të lehtë e kalon topin mbi Nizhegorodovin. “Loro Boriçi” ushton si asnjëherë më parë, skuadra merr flakë nga jehona e tifozëve dhe flamujve të zjarrtë.
Gëzimi i shpejtë u kushton shpërqëndrimin djemve tanë. Rusët riorganizojnë forcat dhe nuk e kanë të vështirë të shënojnë pasi Shqipëria ua bën më të lehtë të barazojnë. Një top i depërtuar në zonën e Strakoshës përfundon në rrjetë në minutën e 76-ë dhe në stadium krijohet përshtypja se fitorja e Shqipërisë është sërish një iluzion.
Minutat kalojnë dhe shenjat se takimi mund të shkojë drejt barazimit shuhen shpejt. Pas një rivënie anësore, shtatshkurtri Lala gjarpëron pa frikë mes “shtyllave” ruse dhe shfrytëzon perfekt hapësirën e lirë për të kaluar në avantazh Shqipërinë në minutën e 79-ë. Drejt tribunës C vësrshojnë tifozët shkodranë dhe lojtarët të cilët i falen vendosmërisë dhe qetësisë së Lalës. Tashmë nuk mund të bëhet më gabim.
Duke mësuar nga humbjet e hidhura të së kaluarës, skuadra jonë izolon në gjysmëfushën e saj Rusinë. Florian Myrtaj, në atë kohë sulmues i Veronës shikon Taren që futet në zonën e rreptësisë dhe i dërgon një kros. Shtatlarti i Brescias godet me të parën, sërish kundërshtari rus i reziston goditjes së parë, por i rrëzuar në tapetin e blerë nuk ka asnjë mundësi të nxjerrë topin në goditje këndi. Tare thjesht e shtyn topin dhe nga Shkodra në të gjithë Shqipërinë shqiptarët festojnë një ditë të madhe. Mes varfërisë dhe problemeve ekonomike, triumfi nga Rusisë i bëri atë natë shqiptarët të gjenin shpresë përkohësisht te ky triumf madhështor.
I rrepti Briegel bëhet një me tifozët dhe feston pa i përmbajtur emocionet, njësoj sikur ta kishte realizuar vetë këtë gol. Ky triumf i padiskutueshëm i hapi rrugë qëndrimit të tij të gjatë në Shqipëri duke e drejtuar kombëtaren tonë për4 vite. Për të mirën e karrierës së tij si trajner, Shqipëria i mundësoi të merrte rezultatet e para serioze ish-nënkampionit të botës.
Vite më pas “Loro Boriç” është kthyer në “tempullin” e Kombëtares, por në 29 mars të 2003, stadiumi që mban emrin e Boriçit të madh të futbollit tonë gjëmoi aq fort sa për të mos u harruar kurrë. Të nesërmen e datës 30, faqet e para sportive u hapën tituj sensacionalë duke mbuluar kopertinat vetëm me fanelën dhe flamujt kuqezi.
Në fakt, fitorja e madhe ndaj Rusisë i dha shtysë të madhe Briegelit, i cili arriti që në dy fushatat kualifikuese të EURO 2004 dhe Kupa e Botës 2006 të regjistronte rekordet e numrit më të madh të pikëve të grumbulluara nga Shqipëria në një kompeticion ndërkombëtar (8 në kualifikuese europiani dhe 13 për kualifikueset e Kupës së Botës 2006).
7 vite më vonë, media prestigjioze e futbollit Goal.com e renditit triumfin e Shqipërisë ndaj Rusisë si njërin prej “10 momenteve më shokuese të historisë së ndeshjeve kualifikuese të kampionateve europiane”.
Në 22 mars të këtij viti, Shqipëria do të nisë fushatën e kualifikimit në EURO 2020 ndaj Turqisë në “Loro Boriçin” e transformuar. Ndoshta jehona e 16 viteve më parë do të arrijnë të dëgjohen sërish në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë për të mos pushuar as në kampionatin e ardhshëm europian pas një viti./Dario Velaj/.


