Sfida e play-off për një vend në Kategorinë e Parë midis Elbasanit dhe Luzi 2008 nuk ka shkuar pa polemika dhe akuza. Futbollisti i Luzit Tedi Baholli pretendoi pas ndeshjes së humbur 3-0 ndaj verdheblube në stadiumin e Ballshit “Adush Muça” se arbitri Ervin Hoxha gjykoi qëllimisht në dëm të Luzit. Për “Kategorinë e Parë”, ai pohoi se gjyqtari u tregoi të mendonin për takimin tjetër me Shkumbinin (shansi i fundit për të kapur Kategorinë e Parë) pasi takimin me Elbasanin nuk do ta fitonin.
“Ende nuk iu besojmë syve me atë çka pamë sot. Ishte një turp i madh. Që në 20 minutat e para, katër prej lojtarëve tanë u ndëshkuan me kartonë të verdhë dhe që këtu e kuptuam se kamikazi Ervin Hoxha kishte ardhur me një objektiv sot në këtë takim. Qershia mbi tortë erdhi më vonë, ku u akordua një 11-metërsh plotësisht inekzistent. Edhe goli i dytë i Elbasanit erdhi nga një rivënie nga këndi e paqenë. Madje, vetë gjyqtari na tha: ‘Sot nuk keni shanse të fitoni, mendoni për ndeshjen tjetër’.
Është një turp i madh që këta kamikazë tallen me djersën tonë, me punën e një sezoni të tërë, me dashurinë e tifozëve për klubin, të cilët sot ishin të shumtë për të na mbështetur dhe gjej rastin t’i falënderoj. Një falënderim i madh shkon edhe për të gjithë shokët e ekipit që luajtën kundër 14 vetave sot. Ne kërkojmë që në ndeshjen ndaj Shkumbinit të këtë një gjykim korrekt dhe jo të njëanshëm, pasi nuk mund ta pranojmë kurrsesi të na ndodhë e njëjta gjë për të dytën herë. Forca Luzi”, deklaroi 24-vjeçari.