
Monza nuk ka ndërmend të ndalet në këtë merkato vere. Së fundmi, klubi italian është vënë në ndjekje të Pablo Mari. Mbrojtësi i Arsenalit është rikthyer në Angli pas një sezoni pozitiv me Udinesen. Te italianët 28-vjeçari ishte i huazuar. Megjithatë me rikthimin te “Topçinjtë” ai rrezikon vendin e titullarit pasi s’është në planet e trajnerit Mikel Arteta.
“TMË” raporton se nga kjo situatë dëshiron të përfitojë Monza. Drejtori sportiv, Adriano Galliani është vënë menjëherë në lëvizje. Ai ka kontaktuar drejtuesit e Arsenal për të transferuar mbrojtësin në Itali. Objektivi kryesor është qëndrimi në Seria A në këtë sezon të ri futbollistik dhe në këtë mënyrë duan të kenë alternativa në prapavijë.
Mari ka kontratë deri në vitin 2024-të me Arsenalin dhe vlera e tij në treg është afro 5 milionë euro. Pritet të shihet çdo të ndodhë me futbollistin, nëse do të qëndrojë në Londër apo do të preferojë të vijojë sërish aventurën në Itali.