
Atalanta do të luajë nesër sfidën e parafundit të fazës së grupeve ndaj Young Boys në transfertë. Ziklatërit ndodhen në vendin e 3-të me 5 pikë dhe me një fitore nesër do të hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit pasi Man United dhe Villareal përballen me njëra-tjetrën. Sot në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Gasperini ishte edhe Berat Gjimshiti. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u shpreh se Atalanta nesër do të luajë vetëm për 3 pikë dhe është i bindur që do të kalojë në turin tjetër.
“Shkojmë në Bernë (Zvicër) për të fituar dhe jemi të bindur se do të bëjmë një lojë fantastike. Na intereson vetëm të fitojmë, nëse e bëjmë shkojmë në raundin e dytë.
Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi luajmë në një fushë me bar sintetikë, por edhe në ndeshjen e parë në fushën tonë ishte e vështirë ndaj Young Boys. Nuk ka ndodhur shpesh këtë sezon të shënojmë aq gola sa ndaj Spezia dhe kjo është diçka që na jep më shumë besim”.
Rezultati i Man United-Villareal? Nuk mendoj se është avantazh që dy të tjerët luajnë para nesh. Ne do të zbresim në fushë dhe do të japim maksimumin për të fituar. Nuk na intereson se çfarë bëjnë të tjerët. Nëse marrim pikët tona, atëherë kalojmë grupin dhe me këtë mentalitet duhet të luajmë”, u shpreh Gjimshiti.