Sefer Kikija, një ndër radiokronistët më të njohur në Shqipëri, në një prononcim për newsport.al ka folur për karrierën e tij, si e nisi, cilat ishin peripecitë që hasi gjatë rrugës dhe gjithashtu nuk ka harruar të japë edhe disa këshilla nga përvoja e tij. Kikija nuk harron shokët e tij, bashkëpuntorët e parë që me mund dhe sakrificë arritën të ngrinin në maja Radio Tiranën në transmetimet e ndeshjeve të ndryshme. Tashmë ai ndodhet jashtë Shqipërie, por dashurinë për punën dhe vendin e tij, ai e përshkruan me nostalgji.
“Unë kam filluar të bashkëpunoj me Radio Tiranën në fillim të 1992… si bashkëpunëtor i saj duke përgatitur shumë kronika me tema, sociale, ekonomike, sportive dhe politike. Më pas me këmbënguljen time dhe ndihmën e z. Ahmet Shqarri unë fillova si radiokronist sportiv në Tetor 1994. Për herë të parë kam transmetuar në Peqin, bashkë me Fatmir Mnerin, takimin Shkumbini – Besa dhe vazhdova deri në vitin 2010, vit në të cilin unë u largova familjarisht nga Shqipëria (po flas për karrierën si radiokronist ).
Të bëhesh radiokronist në radhë të parë duhet të kesh pasion, të dish mirë gjuhën shqipe (ndoshta duket çudi por kjo qëndron, nuk mund të thuash ps:” ..ime topi ka dalë jashtë vijës anësore, por tani, sepse ime është një shprehje që përdoret në Elbasan, nuk mund të thuash që, është vrarë një futbollist, por është dëmtuar një futbollist. Si qenka vrarë një futbollist, sepse e kam dëgjuar nga kolegë kur transmetoja vetë ) duhet ta njohësh rregulloren e futbollit mjaft mirë. Kur jepet kartoni i verdhë, kur jepet penallti, çfarë të drejte ka portieri, sa zëvendesime bëhen gjatë lojës, kur portieri merr karton të kuq çfarë ndodh, kur arbitri ka të drejtë ta ndalojë lojën etj,etj. Të jetë vetvetja duke mos imituar të tjerët, të jetë i shpejtë në të folur edhe kur loja ndërpritet të japë statistika të sakta për lojtarët ekipet që luajnë, atmosferën që është në stadium, tifozët në shkallët e tij, sa është numri i tyre, skemat me të cilët luajnë skuadrat, kush nga lojtarët kryesorë mungojne, a kanë ardhur lojtarë të rinj në ekip apo janë larguar, të intervistojë para ndeshjes trajnerët e skuadrave, cilët janë objektivat e tyre, e shumë e shumë gjëra të tjera pikante që e tërheqin dëgjuesin.
Radiokronika më ka dhënë mundësinë në rradhë të parë, të realizoj një ëndërr që unë e kam pasur qysh në femini. Më dha mundësinë të njoh njerëz të mrekullueshëm të cilët më kanë respektuar shumë dhe për këtë unë ndjehem krenar. Kam njohur futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh, presidentë të ekipeve, menaxhere futbolli, gazetarë sportive nga më të njohurit në Shqipëri, kryetar bashkish, deputete, ministra, shefa të policisë, të qarkullimit rrugor, policë të thjeshtë etj. Unë kam transmetuar thuajse në të gjithë stadiumet e Shqipërisë,në Elbasan, Peqin, Librazhd, Rrogozhinë, Lushnje, Fier, Ballsh, Gjirokastër, Shijak, Laç, Shkodër, Korçë etj. Kudo që kam shkuar jam pritur i respektuar. I kujtoj me nostalgji të gjithë ata që më kanë respektuar dhe uroj të gjitha të mirat. Isha në Mars në Shqipëri i ftuar nga miku im, gazetari i mirënjohur i TVSH-së Defrim Methasani në edicionin e shtatë të turneut ndërkombëtar të futbollit me gazetën sportive për nder të Panos. Pata rastin të transmetoj një ndeshje në Laç me kolegun I. Myrtaj të cilin e falënderoj. Vura re që nuk kishte ndryshuar shumë mënyra e transmetimit, si nga ana teknike ashtu dhe profesionale. Akoma transmetohej me telefon celular, ku po të dëgjosh emisionet në vendet e tjera psh: në Itali (tutto il calcio, minuto per minuto ) radiokronistët janë në linjë dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin, në momentin që ka gol apo penallti a diçka tjetër, futen njëherësh në transmetim. Kjo është diçka që e tërheq dëgjuesin, i cili informohet në çast për çka ndodh në çdo fushë”, tha Kikija.
I pyetur për gazetën “Sporti Shqiptar”, Sefer Kikija u shpreh:
“Për gazetën Sporti Popullor apo Shqiptar si u quajt më vonë, më vjen keq që është mbyllur. Është gazeta më e vjetër sportive në Shqipëri nëpërmjet së cilës njiheshim me sportin në vend. Qysh nga koha e Besnik Dizdarit e më herët, më kujtohen gazetarët Sh.Gjoshi, P.Shtrepi, B.Tufa, R.Papa, K.Ahmati etj. Me daljen e internetit dhe të lajmeve online ku gjen çdo gjë, shitja e gazetës ka rënë dhe për rrjedhojë ka falimentuar. Është e vështirë të menaxhosh dhe të mbash gjallë një gazetë në ditët e sotme. Duhet të sjellësh diçka të re tek lexuesi që të kesh sukses. Duhen gazetarë profesionistë që njohin mirë profesionin, por dhe tregun, atë çfarë duan, çfarë ju pëlqen lexuesve. Pra duhet të sjellësh një risi të re të veçantë nga të tjerët”.