
Ardian Cuculi, mbrojtësi i Kukësit, ka folur ditën e sotmë përpara mikrofonit të "Rtsh-Sport", për situatën e ekipit verilindor dhe kampionatin. Ai mendon se lufta për titull është shumë e ashpër, madje mbrojtësi i trembet dhe rivalitetit të Skënderbeut dhe Teutës.
Ai ka thënë: "Do të punojmë maksimalisht për të rikuperuar dhe rimbushur bateritë për të bërë më të mirën tonë në kampionat dhe për të përmbushur të gjitha kërkesat si nga trajneri nga pikëpamja taktike, si nga presidenti dhe të gjithë dashamirësit dhe tifozët e Kukësit, që të marrim edhe titullin kampion.
Nga pikët në renditje shihet se është situatë e ngjeshur dhe janë 3-4 ekipe ne lojë. Besoj se pas fazës së tretë do të ketë një situatë sa më të qartë. Do të jetë një rivalitet shumë i bukur dhe shpresoj se do të jetë edhe Teuta e Skënderbeu aty, se i bën mirë dhe i shërben kampionatit".