
Partizani do të luajë sot me Kukësin, një ndeshje mjaft deçizive për sa i përket objektivit të "demave", fitimin e titullit të 16-të kampion.
Megjithatë situata në kampin e kuq nuk duket e qetë. Kur skuadra e partizanit ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore të drejtuar nga trajneri Sulejman Starova, ajo që ra në sy ishte mungesa e fantazistit Mentor Mazrekaj, i cili ishte zhvendosur në tribunë duke ndjekur stërvitjen e shokëve të tyre.
Nga drejtuesit e klubit u fol për një dëmtim të Mazrekaj, por kjo gjë ka hapur debate duke thënë se arsyeja që Mazrekaj është larguar është thjesht një "kapriço".
Siç duket, zëvendësimi në pjesën e dytë në derbin me Tiranën dhe mospërfshirja në formacion për Kukësin, ka trazuar sërish ujërat në kampin e kuq duke rikthyer edhe njëherë çështjen Mazrekaj.
Pak përpara startit të takimit, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Edmond Haxhia, ka thënë për Supersport:
"Kjo çështje po kthehet në barsaletë tashmë, ne jemi super dhe presim të japim maksimumin në fushën e lojës".