
IFAB, struktura ligjore me autoritetin për të ndryshuar rregullat e futbollit, po mendon: penalltitë duhet të ndryshohen. Jo ato penalltitë teke, që ekzekutohen gjatë kohës së rregullt të ndeshjeve, por formula e “lotarisë” së penalltive që aplikohen për ndeshjet në të cilat, koha e rregullt, e më pas pjesët shtesë nuk kanë mundur dot të përcaktojnë ekipin fitues.
Katër përfaqësuesit e federatave britanike dhe katër anëtarët e FIFA kanë aktualisht ndër duar një studim shumë interesant. Statistikat zbulojnë se në 60% të rasteve, prevalon skuadra e cila ka ekzekutuar penalltinë e parë. Një statistikë kjo që evidenton nevojshmërinë për të ndryshuar me qëllim që të gjendet një formulë e cila të garantojë ekuilibër më të madh.
Në tavolinat e zyrave të drejtuesve të futbollit po shqyrtohet një model i huazuar nga tenisi. Ai parashikon një seri të tipit “ABBAABABBA”, sikurse ndodh me turnet e shërbimeve në tie-break, në vend të alternimit normal, të cilit i rikthehesh në rast të barazimit pas 10 gjuajtjeve secilit. Në praktikë, penalltinë e parë e gjuan njëra nga skuadrat, të dytën dhe të tretën skuadra kundërshtare, dhe kështu në vijim. Për të marrë konfirmimin, IFAB i nevojitet një maxhorancë prej 6 votash nga 8 në mocionet e paraqitura.