
Trajneri i Kukësit Armando Cungu nuk pranon ta hedhë poshtë sulmuesin e tij Reginaldo Faite. Në një prononcim për "RTSH Sport", tekniku shkodran zbuloi se mozambikasi ka patur probleme fizike dhe i është nënshtruar testeve mjekësore. Ndër të tjera Cungu shtoi se Kukësi nuk e mohon rëndësinë dhe vlerën që ka Reginaldo për ekipin.
"Situata e Reginaldos? Për Rexhinaldon e kam thënë edhe herët e tjera. Pesë minuta pa mbaruar ndeshja ka pasur një kontraktim. Sportisti ankohet për problemin që ka por ne e morën në ekip një natë para me ekipin. Komunikuam edhe me doktorin dhe e pa të arsyeshme për ta çuar për një grafi. Grafia ka treguar se ka pasur një shqetësim të vogël. Është bërë rezonanca dhe pritet përgjigja përfundimtare. Kjo është situata.
A do të kalojë me ekipin e dytë të Kukësit? Nuk mendoj se do të shkojë situata aq sa lojtari të shkojë te Kukësi B. Por pres mendimin e specialistëve rreth dëmtimit", përfundoi trajneri shkodran.
Në ndeshjen me Laçin, Reginaldo nuk u aktivizua, pasi u përfol se lojtari kishte munguar në shenjë proteste për afrimin e sulmuesit të ri Vasil Shkurtaj. Më pas, Kukësi vendosi ta ndëshkonte lojtarin e tij duke e kaluar me ekipin e të rinjve. Ndërsa sot, presidenti Safet Gjici deklaroi se vetë Reginaldo në prani të familjes së tij kishte kërkuar falje për të mos humbur vendin e tij te Kukësi. Momentalisht, duket se sërish ujërat janë qetësuar te nënkampionët e Shqipërisë, të cilët duhet të sigurojnë me patjetër fitoren ndaj Flamurtarit për të mos u shkëputur nga Partizani në garën për titull.