Kristjan Asllani kaloi një sezon për t’u harruar në nivelin personal. Mesfushori shqiptar e preku fushën e lojës vetëm 29 herë por edhe kur luante, Inzaghi e fuste vetëm në minutat e fundit në ndonjë ndeshje të mbyllur apo pa interes. Situata e tij ngriti alarm edhe në mediat italiane por së fundmi, këto media kanë zbuluar edhe planin e zikaltërve.
E ardhmja për Asllanin mund të jetë e ndritur duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Kjo edhe falë gjendjes së vështirë ekonomike të Interit. Finalistët e Champions League kanë 0 euro buxhet në merkato dhe e vetmja mënyrë që të afrojnë lojtarë është me parametra zero ose me paratë e shitjeve.
Marcelo Brozovic pritet të largohet pas shumë vitesh dhe logjikisht mendja të thotë një zëvëndësim direkt. Por jo, plani i Interit është ndryshe. Zikaltërit nuk do të futen në treg për një mesfushro defansiv pasi kjo pozitë para mbrojtjes do t’i besohet Calhanoglus dhe Asllanit.
Turku doli një eksperiment i suksesshëm dhe pritet të jetë ai titullari në këtë pozicion, me Asllanin si zëvëndësues direkt duke marrë më shumë minuta. Për të plotësuar vendin bosh nga largimi i Brozovic, synimi është Milinkovic-Savic. Mesfushori i Lazios luan si mesfushor i brendshëm ose i avancuar që ofron forcë fizike dhe shpërthime përpara.