Ka startuar tashmë programi i mirënjohur për formimin e trajnerëve dhe lektorëve “Coach Educators”, që organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n.
Një kurs mjaft i rëndësishëm që do të rrisë nivelin e trajnerëve, të cilët do të jenë lektorë dhe do të mësojnë trajnerët në kurset e ardhshme për licencat e trajnerëve të të gjitha niveleve.
Siç ishte bërë e ditur së bashku me drejtuesit e Sektorit të Edukimit në FSHF pjesëmarrës në udhëheqjen e këtij programi do të jetë edhe anëtari Panelit Jira në UEFA, Dariusz Pasieka, i cili ka një eksperiencë të madhe në përgatitjen e trajnerëve dhe ka drejtuar kursin e parë në Shqipëri.
Duke folur për Fshf.org, Pasieka thekson se lektorët e kurseve të trajnerëve janë personat kyç në rritjen e nivelit të edukimit dhe janë në majë të piramidës së programeve edukuese.
“E kishim kuptuar se çelësi i edukimit në futboll janë ata që mësojnë trajnerët. Mjafton të shohim faktin se trajnuesit e trajnerëve janë në majën e piramidës edukative, sepse ata mësojnë trajnerë të ndryshëm në nivel të ndryshme të kursit, atë UEFA C, UEFA B, UEFA A dhe UEFA Pro dhe gjithashtu organizojnë edukimin e mëtejshëm për çdo trajner sepse çdo tre vjet trajneri duhet të rinovoje licencen e tij.
Ja pse i duhet gjithmonë informacion i ri dhe ja pse ky pozicion është shumë i rëndësishëm. Në Konventën e Trajnerëve të UEFA-s 2020 një nga pikat më të rëndësishme është fakti se federatat duhet të organizojnë kurset për trajnuesit e trajnerëve dhe gjithashtu të përpiqet të përfshijë sistemin e licencimit për trajnuesit e trajnerëve”, – thotë instruktori i UEFA-s, teksa shpjegon edhe modulet e kursi dhe vlerëson pjesëmarrësit në këtë edicion të parë të kursit për përfshirjen dhe bashkëpunimin e tyre maksimal.
“Kursi ka dy module, i pari ishte më shumë prezantues dhe teorik për parimet e mësimdhënies, profilet e trajnuesve të trajnerëve. Kemi folur për lidershipin, sepse trajnuesit e trajnerëve të cilët drejtojnë kurset duhet të ketë aftësitë e duhura në drejtim të lidershipit. Kemi punuar në fushë me seancën praktike se si duhet të shpërndajmë njohuritë në një formë interaktive për pjesëmarrësit. Sepse në mësimdhënie angazhimi, bashkëpunimi dhe përshtypjet janë shumë të rëndësishme dhe kjo është arsye që ne duhet t’i shpërndajmë njohuritë në stil akademik.
Ne duhet të përdorim këto vlera për të sjellë kursin në një nivel më të mirë dhe për të bashkëpunuar. Këto janë çështje shumë të rëndësishme dhe tani ne jemi në modulin e aplikimit, më shumë praktikë dhe tani po përfundojmë praktikën teorike. Ishte një diskutim shumë interesant, jam shumë i kënaqur për angazhimin dhe bashkëpunimin e këtij grupi dhe shpresoj që pas kursit të jenë në një nivel edhe më të mirë”, – theksoi anëtari i Panelit Jira në UEFA.
Të ftuar në këtë kurs të parë kanë qenë edhe tre përfaqësues nga Sektorit i Edukimit në Federatën Malazeze të Futbollit, të cilët eksperiencë dhe njohuri për programin në mënyrë që ta implementojnë së shpejti edhe në Mali e Zi programin “Coach Educators”.
Pjesëmarrësit në këtë kurs të parë janë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave si edhe disa personalitete të tjerë futbolli, të cilët janë të angazhuar si lektorë në kurset e trajnerëve, ndërkohë që në përfundim të kursit të gjithë do të pajisen me një licencën përkatëse të UEFA-s si “Coach Educators”. Përmes kësaj licencë lektorët e kurseve do të kenë kualifikimin e duhur për t’u angazhuar në kurset e ardhshme të trajnerëve që organizon FSHF.