Presidenti i ballshiotëve e ka me gjyqtarin dhe një prej anësoreve; kam një jetë që shoh futboll, por të anulojnë dy gola dhe tre penallti është katastrofë, gati peticioni për këta njerëz që tallen me një qytet të tërë
Pas ndeshjes së djeshme Bylis-Elbasani 0-0 ka reaguar presidenti i klubit ballshiot, Agron Kapllanaj.
Njëkohësisht edhe në pozicionin e Kryetarit të Bashkisë së Ballshit, numri 1 i klubit të Bylisit ka qenë i pakënaqur nga gjykimi i arbitrit kryesor të takimit, Elidon Halo dhe anësorit Nelaj.
Në një deklaratë për mediat, presidenti Kapllanaj ka deklaruar se klubi ballshiot po përgatit një peticion ndaj gjyqtarëve të ndeshjes Bylis-Elbasani që u luajt dje në stadiumin “Adush Muça”, pasi të tillë arbitra sipas tij, nuk mund të tallen me një qytet të tërë.
“Kjo është katastrofë. Gjyqtari Halo dhe asistenti i tij, Nelaj, me sa duket kishin ardhur me paramendim për të mos fituar Bylisi. Skuadra ka luajtur shumë të mirë.
Kemi dominuar totalisht kundërshtarin, kemi goditur shtylla, traversa, madje edhe në portën e Kotorrit mbi dhjetë raste goli.
Por, na janë mohuar tre penallti dhe dy gola më se të rregullt. Edhe vetë elbasanasit janë habitur kur gjyqtari Halo i akordoi si të parregullt.
Ky është kulmi! Është turp që janë të njëjtët njerëz, të njëjtët gjyqtarë, që vetëm pak javë më parë i akuzoi Sopoti, madje dhe se do t’i denonconte në Prokurori.
Si e marrin guximin këta dy njerëz dhe na hedhin investimin në erë në një ndeshje me rivalë direkt. Nuk e kuptoj, si tallen me investimet tona dhe me një qytet të tërë.
Ne me Elbasanin, kemi marrëdhënie shumë të mira, madje edhe miqësore dhe nuk është nevoja që të vijnë dy arbitra e të na dëmtojnë qëllimisht. Kjo është skandaloze! Do të kërkojmë me anë të një kërkese zyrtare si klub nga Sektori i Garave në FSHF që t’i ndëshkojë. Është e turpshme por nuk është hera e parë që kanë tendenca ndaj Bylisit. Ne na mundi Tomori, barazuam me Dinamon por pranuam rezultatin!
Por, kështu s’na ka bërë vaki, këta janë ekstreme. Uroj dhe shpresoj që të mos përsëriten më me Bylisin, sepse ne do të ndjekim gjithë rrugën ligjore”, ka deklaruar presidenti i Bylisit, Agron Kapllanaj.