Bruno Telushi ishte një nga emrat më të përmendur ditën e sotme për një kalim të mundshëm te skuadra e Vllaznisë. Mesfushori vlonjat ishte pranë akordit me kuqeblutë, por gjithçka është përmbysur në minutat e fundit. Është vetë Telushi që për mediet e ndryshme ka treguar se akordi ishte arritur dy ditë më parë, ndërsa kur ka shkuar në Shkodër për firmë i është ofruar 40 përqind më pak nga akordi i arritur.
Kjo u hodh poshtë menjëherë nga drejtuesit e Vllaznisë. Fillimisht ishte Alban Xhaferi i cili mohoi kontaktet ditët e fundit me Telushin, ndërsa më pas drejtori Matko Djarmati që konfirmoi fjalët e Xhaferit. Në fakt kjo situatë është sa për të qeshur e për të qarë. Bruno Telushi saktësisht thotë me zë e figurë: “Para dy ditësh ramë dakord me ata të Vllaznisë për të firmosur, ndërsa sot nxorrën një ofertë shumë të ulët dhe nuk është në interesin tim. Më vjen keq se e kisha marrë me qef për të ardhur në Shkodër. Më pëlqen vendi, qyteti, skuadra, por nuk ia vlen me atë që ofroi presidenti”, është shprehur saktësisht ai.
Ndërkohë deklaratat e mësipërme të Xhaferit dhe Djarmatit lënë shumë vend për diskutim. Pse vallë ndryshuan mendim në minutat e fundit? Ndoshta lojë medietike për të shmangur presionin e tifozëve shkodranë? Le të shohim në vazhdim…