Është luajtur sot dhe java e fundit e kampionatit francez. Një kampionat i gjatë dhe me shumë të papritura, ku në 38 javë, ekipet kanë luftuar për çdo pikë të mundshme. PSG, ashtu siç ndoshta edhe pritej, fitoi titullin kampion javë më parë, ndërsa ditën e sotme, e mbylli sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0 kundër Metz. Një humbje që i kushtoi shumë miqve, pasi ranë direkt nga Kategoria e do të militojnë në Ligue 2 sezonin e ardhshëm.
Marseille, nënkampionët e Francës, po ashtu e mbyllën me goleadë sezonin, duke fituar me rezultatin 4-0 ndaj Strassbourg. Bordeaux fitoi me rezultatin 2-4 në transfertën ndaj Brest, por ekipi i madh francez, e mbyll sezonin në vendin e fundit, duke rënë nga Kategoria. Ndërsa St. Etienne, një tjetër ekip me traditë, e mbyll në vendin e 18-të, ku do të luajë ndeshjen Play-Off për të mos rënë nga Kategoria.
