Klubi i Partizanit ka reaguar për herë të dytë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për videoskandalin ku Drini Çaushi tenton të korruptojë futbollistin e kuq, Emiliano Vilën. Pasi FSHF-ja doli në një komunikatë për shtyp në lidhje me këtë çështje, klubi i Partizanit përshëndeti reagimin e saj, megjithatë kishte rezerva teksa shkruante:
“K.F. PARTIZANI përshëndet reagimin e orëve të vona të FSHF-së në lidhje me Skandalin e publikuar në emisionin Fiks Fare. I bëjmë me dije FSHF-së, që materiali pasi është provuar për vërtetësinë e tij, patjetër që do t’i dërgohet prokurorisë. Por institucioni i futbollit, përvecse të distancohet nga ky skandal apo të na këshillojë rrugën që duhet ndjekim duhet të VEPROJË. Materiali, përmban emra dhe persona konkretë! Hetimi penal vazhdon, por ky material duhet të jetë edhe një çështje që duhet shqyrtuar nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së.
Të jetë ky Komision, që pasi do të shqyrtojë faktet dhe emrat e përmendur, të vendosë nëse ka rethana për të marrë një vendim. Federata duhet të veprojë nëpërmjet komisioneve, të tregojë vullnetin e saj, në një çështje që i shërben të gjithëve, jo të hiqet mënjanë për të bërë deklarata distancuese. Ne si klub do të ofrojmë gjithë materialet e nevojshme që disponojmë, për cilndo person të përfshirë, për të parë ku rezulton, apo ku është i përfshirë. Na vjen mirë që edhe FSHF është e vendosur për mbrojtjen e pastërtisë së lojës, por kjo kërkon më shumë veprime konkrete, sesa deklarata distancuese. PMTP”.
Kujtojmë që për këtë çështje ka reaguar ditën e djeshme në shtypin e shkruar Drini Çaushi, i cili nuk e pranonte kurrsesi këtë skandal. Por, pas publikimit të videos nuk ka ende një reagim nga ana e tij.