Partizani ndodhet në Antalia të Turqisë ku po zhvillon një fazë përgatitore. Të kuqtë të drejtuar nga trajneri Sulejman Starova kanë marrë ngarkesën e duhur dhe gjithashtu kanë zhvilluar dy ndeshje miqësore. Me Fenerbahçen 15 herë kampionët e Shqipërisë u mundën me rezultatin 3-1, ndërsa me Gabalën fituan me rezultatin 2-1.
Teksa të gjithë lojtarët i janë bashkuar grupit, në sy bie mungesa e Agustin Torassës. Mesfushori ndodhet në Argjentinë dhe ende nuk është nisur për t'u bashkuar me skuadrën në Turqi. Nuk dihet se sa ditë leje i kishin dhënë drejtuesit 28-vjeçarit pas ardhjes në jetë të vajzës së tij. Por, megjithatë Starova deklaroi pas ndeshjes me Gabalën që për shtatshkurtrin do të ketë sanksione.