
Kukësi nuk arriti të dilte me 3 pikë nga transferta e Gjirokastrës. Verilindorët zhvilluan një ndeshje mjaft zhgënjyese madje mund edhe ta kishin humbur këtë takim nëse gjyqtari nuk do të anullonte golin e Luftëtarit. Kritikat ndaj lojtarëve nuk kanë munguar nga presidenti Gjici, trajneri Duro dhe drejtori sportive Nderim Nexhipi. Në analizën me skuadrën, drejtori u ka komunikuar se presidenti Gjici është i mërzitur me barazimin dhe ndaj Partizanit opsioni I vetëm është fitorja.
"Zhvilluam një ndeshje mjaft të keqe në Gjirokastër, madje ishte katastrofë. Nuk na takon neve të zhvillojmë këto lojëra, e aq më tepër të humbasim pikë. Me dy pikë më shumë sot do ishim 3 pikë të shkëputur. E kuptoni apo jo, shkonim në ndeshjen kundër Partizanit të dielën të shkëputur. Presidenti është shumë i mërzitur me ju dhe me të gjithë ne dhe ka të drejtë. Duhet kthesa e menjëhershme, me fitoren ndaj Partizanit kthehemi në normalitet. Kërkoj maksimumin prej të gjithëve ju", është shprehur drejtori Nexhipi në drejtim të lojtarëve.
Skuadra ka nisur menjëherë pregatitjet për ndeshjen e së dielës në orën 19:00 në "Air Albania". Duke parë që janë vetëm pak ditë nga kjo sfidë, lojtarët dhe stafi nuk kanë bërë asnjë ditë pushim, por kanë nisur direkt nga puna.