
Duket se debati mes presidentit të Bayern Munich Uli Hones dhe futbollistit gjerman Mesut Ozil do të vazhdojë gjatë.
Pas tërheqjes nga Kombëtarja të mesfushorit të Arsenal dhe kritikave të shumta në drejtim të tij, legjenda bavareze reagoi duke e cilësuar Ozil si një lojtar "që ka luajtur si m*t prej kohësh", e për pasojë provokoi reagime të shumta.
Sot ka ardhur dhe kundëpërgjigja e vetë lojtarit nëpërmjet agjentit të tij i cili ka bërë një deklaratë publike në emër të Ozil. "Është e kotë të vijosh një debat të tillë me zotërinë në fjalë (Hones). Ai nuk merr vesh fare nga kjo punë dhe nëse vijon të komentojë këtë situatë do të jetë një turpërim për të por edhe për futbollin dhe popullin gjerman në tërësi", kanë qenë ndër të tjera fjalët e agjentit Erkut Sogut.
Sogut ndër të tjera shtoi se deklarata e Ozil është plotësisht e bazuar duke vënë në pah disa probleme shumë të mprehta të shoqërisë së sotme gjermane si diskriminimi ndaj emigrantëve dhe muslimanëve, ndërsa përsa i përket akuzave ndaj lojtarit për formën e tij në fushë ai tha se kjo është e papranueshme. "Si është e mundur të cilësohet si fantazëm një lojtar që ka fituar Botërorin dhe shumë tituj të tjerë. Nëse është lojtar kaq i keq si shpjegohet që Murinjo, Venger e trajner të tjerë elitar e cilësojnë atë si një nga më të mirët në Botë në pozicionin e tij?", kanë qenë pyejtjet retorike të Sogut si kundërpërgjigje.