
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë të enjten e 14 nëntorit ndeshjen e radhës kualifikuese. Djemtë e drejtuar nga Edouardo Reja do të presin në "Elbasan Arena" Andorrën, me synimin e vetëm për tri pikët. Ndeshja do të luhet në orën 20:45 dhe interes ka përsa i përket arbitrit që do vendosë drejtësinë në këtë sfidë.
Kristo Tohver është i përzgjedhuri i UEFA-s për ndeshjen e kuqezinjve, me estonezin që nuk e ka herën e parë që drejton shqiptarët. Arbitri 38 vjeçar gjykon në nivele ndërkombëtare që prej nëntë vitesh dhe ka një eksperiencë të gjerë në ndeshjet e ekipeve kombëtare. Ndeshja e fundit për kualifikueset e Euro 2020 që ai ka arbitruar, është fitorja 2-3 e Armenisë në Greqi. Tohver ka arbitruar më herët Partizanin në kualifikueset e Ligës së Kampioneve apo edhe Kukësin dhe Flamurtarin në turnetë europianë.