
Qendërmbrojtësi i Teutës Renato Arapi beson se durrsakët do të arrijnë të marrin rezultat pozitiv ndaj kampionëve të saposhpallur të Shqipërisë Partizanit këtë të shtunë.
Për "RTSH Sport", 32-vjeçari shpreson që të kuqtë këtë herë të mos jenë të karikuar maksimalisht, meqënëse e kanë arritur objektivin e tyre.
"Përballjet e kaluara me Partizanin: Kemi pasur shanset tona për të fituar kur jemi përballur me ta, sidomos këtu në Durrës. Ndeshja e fundit me Skënderbeun ishte e madhe, sepse luanim përballë kundërshtarit direkt për kupat e Europës. Na kanë mbetur dhe 3 ndeshje deri në fund të sezonit. Kemi 3 finale dhe shpresojmë t'ia dalim.
Rikthimi te golat:Na ka ndihmuar pjesa e shënimit të golave. Çdo lojtar nuk e ndien presionin tanimë pas ndeshjes me Skënderbeun.
Ballafaqimi me Partizanin kampion:Si fillim, urime për Partizanin. Titulli ka qenë i merituar. Ata e kanë arritur objektivin, por mbase nuk do të impenjohen aq shumë këtë herë. Por, të tregohemi profesionistë. Të japim maksimumin edhe me kundërshtarët poshtë nesh në renditje.
Presioni:Presioni ka qenë më i madh në ndeshjet e kaluara. Atmosfera është pozitive, e presim Laçin brenda në takimin e fundit dhe kjo na bën më optimistë", përfundoi ish-futbollisti i Skënderbeut dhe Partizanit.