Trajneri italian i Skënderbeut e ka të papërcaktuar të ardhmen. Gjasat janë që të mos jetë më në krye të skuadrës, sidomos pas humbjes së sotme ndaj Partizanit. Me fundin e fazës së dytë, Agostineli pritet të lërë Korçën për tu rikthyer në Itali pranë familjes dhe gjasat janë që biletën t’ja presin vetëm vajtje.
Në Korçë nuk e duan më. Skuadra jo, presidenti ka ngelur totalisht i zhgënjyer prej tij, drejtori sportiv Fakiç prej kohësh ka shkëputur marrëdhëniet dhe tifozët gjithashtu prej kohësh kërkojnë largimin.
Italianin në krye të Skënderbeut për momentin e mban vetëm kontrata. Një fitore me Tiranën dy javë më parë është shumë pak për të siguruar edhe gjashtë muaj të tjerë në Korçë, për më tepër që si asnjëherë në 6 vitet e fundit, Skënderbeu ka zbritur në vendin e tretë.