
U promovua si talent dhe të gjithë shpresuan se do të shkonte larg. Por, karriera e Realdo Filit ka qenë me shumë peripeci. Pasi shkëlqeu me skuadrën e Partizanit, ai vendosi të largohej nga kryeqytetasit për shkak se s'mund të kishte minutazh të plotë. Kësisoj u transferua më pas te Kamza për të vijuar me Skënderbeun, ndërsa sezonin e shkuar zgjodhi Luftëtarin. Me gjirokastritët u aktivizua në 16 ndeshje duke shënuar 2 gola.
Por, situata e vështirë financiare që po kalon klubi bluzi detyroi 23-vjeçarin të largohej. Ofertat në drejtim të tij kanë qenë të shumta, por projekti i paraqitur nga Kastrioti duket se ka bindur fierakun për të nisur një aventurë të re në Krujë. Ende s'ka asgjë zyrtare, por gjithçka pritet të marrë "jetë" në ditët e ardhshme. Kujtojmë që Fili ka qenë më parë dëshirë e drejtuesve të Tiranës, por ishin zyrtarët e Partizanit që s'e lejuan asokohe një transferim te rivalët e përjetshëm.