Ylli i Barcelonës, Neymar, thotë se është thjesht e pamundur të mos e admirosh shokun e tij të skuadrës, Lionel Messi, duke shtuar se ky sport do të ishte krejt ndryshe nëse argjentinasi nuk do të luante. Pas humbjes së dytë radhazi në finalen e Kupës së Amerikës, këtë herë në ruletën e penalltive ndaj Kilit, “Pleshti” dha dorëheqjen (të paktën gojarisht) nga kombëtarja e Argjentinës.
Nëse karriera e tij me kombëtaren ka qenë larg pritshmërive dhe e mbushur me akuza për angazhimin e tij të pakët, me Barcelonën Messi ka trashëguar virtytet e legjendave si Ronaldinho apo Diego Maradona duke fituar pesë herë “Topin e Artë”, katër herë trofeun e Champions League, tri herë Botërorin e klubeve dhe tetë herë kampionatin spanjoll.
Vera e Messit u përkeqësua këtë javë me dënimin prej 21 muajsh burg pas evazionit fiskal për të cilin ai akuzohet prej dy vitesh. E megjithatë, Neymar beson se gjeniu argjentinas e ka ndryshuar futbollin dhe kjo ka rëndësi për të. “E respektoj vendimin e shokut tim për të lënë kombëtaren, por futbolli pa Messin nuk është futboll. E kam të vështirë ta imagjinoj pa të. Nëse të pëlqen futbolli, atëherë duhet ta admirosh Messin dhe gjithçka që ai ka arritur me Argjentinën dhe Barcelonën”, – ka thënë braziliani për spanjollen “Marca”.