
Egnatia dhe Skënderbeu kanë barazuar 1-1 në Rrogozhinë. Sfida e javë së tretë për Superligën është vendosur në dy minuta, me golin e Pedros për vendasit që është barazuar nga Berisha. Ndeshja do niste vrullshëm për skuadrat, teksa Imeri ka ngacmuar miqtë.
Do duhej e 16 minutë që Pedro me një gol të bukur të zhbllokonte shifrat, ndërsa të besuarit e Maganit nuk e kanë mbajtur dot avantazhin. Berisha me një veprim fantastik do barazonte shifrat në të 18 minutë.
Pjesa e dytë ka qenë me raste, sherr dhe kartona, ndërsa në fundin e saj lojtarët u përplasën në fushë. Sherr në tribuna mes tifozëve, teksa siguria qetësoi gjithçka. Rexhepi bën heroin te korçarët, që I anullon Gadi një gol thuajse të sigurt në limite.
Me këtë barazim, Egnatia mban vendin e tetë me 2 pikë, ndërsa dy vend më sipër është Skënderbeu po me dy pikë.
Pas ndeshjes, për Gol pas Goli foli trajneri i Egnatias, Gugash Magani:
"Skuadra ka shpalosur vlerat e veta edhe pse me dëmtime, nuk u vunë shumë re sot. E nisëm mirë sfidën, diktuam lojën e kundërshtarit dhe u hutuam te goli që pësuam. Kjo nuk duhet të ndodhë. Në të parën ishim ne më sipër, ndërsa më pas u ndje lodhja në të dytën, pasi disa lojtarë nuk kanë kondicion fizik.
Me rastet që kishim sot, duhet ta kishim fituar ndeshjen. Na quajnë të vegjel, nuk jemi të tillë, objektivat do t'I tregojmë rrugës. Nuk e nënvlerësuam kundërshtarin paçka respektit, kanë histori të madhe.
Konflikti me Memellin? Nuk kisha asgjë me të, e kisha për penalltinë. Për mua ishte penallti ajo e Telushit, arbitri dhe VAR hezituan. Disa momente na frenoi arbitri, kishim raste të mira. Me Memellin nuk kam asgjë, I thashë që t'i thotë lojtarëve mos provokojnë. Merrem me punët e mija dhe jo me arbitrat.
Ndaj futbolli është I bukur, sepse e pëson edhe për dy minuta. Jemi të vetëdijshëm se për dy tri javë do tregojmë veten, sa të shkojnë lojtarët në kondicionin e duhur, sepse e kishim shansin në fund.
Nervat në fund? Ndodh nga nervat, kjo nuk duhet të ndodhë. Është pjesë e punës sonë, kemi një skuadër të disiplinuar. Mos na shikojnë gjyqtarët si të vegjël, do I hapim punë çdo skuadre si brenda dhe jashtë, do e shihni në ndeshjet e ardhshme", tha Magani.