
Luhet sot në mbrëmje me fillim në orën 19:00 takimi mes Parmës dhe Veronës. Kjo është një sfidë mes dy qendrave të kombëtares shqiptare, konkretisht Kastriot Dermakut dhe Marash Kumbullës. "Në 14 tetor ishin pranë, shumë pranë", kështu e ka nisur "Gazzeta dello Sport" specialen që ka përgatitur për dy lojtarët tanë. Theksi vendoset te ecuria pozitive e të dy lojtarëve dhe rritja në lojë gjatë këtij sezoni. Në artikullin e gazetës italiane, Dermaku cilësohet si një surprizë e Parmës, ndërsa Kumbulla cilësohet si mbrojtës klasik që do i bëjë punë veronezve
Kastriot Dermaku u afrua këtë sezon te emilianët nga seria B, aty ku bëri një sezon impresionues me Kozencën. 27 vjeçari ka zhvilluar dy ndeshjet e fundit titullar, duke debutuar ndaj Genoas dhe më pas në Milano përballë Interit. Ndeshje ku shtatëlarti u vlerësua për markimin që i bëri Lukakut.
Marash Kumbulla është titullar absolut në qendrën e Veronës. Shkodrani ka zhvilluar ndeshje të plota, duke shënuar edhe një gol në sfidën ndaj Sampdorias, e fituar 2-0. Në fund, italianët "qajnë" zgjedhjet e kuqezinjve, duke nënkuptuar se mund të ishin pjesë edhe e "azzurëve", teksa shkruajnë, "shokë në kombëtare, por të lindur në shtetin tonë". Dermaku dhe Kumbulla pritet të jenë titullarë në ndeshjen e sotme.