
Vllaznia është në prag kolapsi, teksa prej dy ditësh lojtarët refuzojnë të dalin në stërvitje si shkak i mospagesës qysh prej muajit janar. Pandemia Covid-19 ka rënduar arkat e kuqebluve, që tanimë shohin t'i përzënë edhe nga restoranti ku ushqeheshin.
Ka qenë gazetari i Tv Ora, ai që ka ngritur alarmin. Sipas Drilon Xhepollarit, klubi veç pagesave nuk është kujdesur as për ushqimin e lojtarëve, teksa tanimë ata e shohin veten edhe jashtë restorantit ku hanin tri vaktet, duke u prekur edhe në personalitetin njerëzor.
"Futbollistët e Vllaznisë kanë edhe një problem tjetër, u përfundojnë kontratat në fund të majit. Ata vendosën me bojkot. Në rast se nuk do të arrihet një marrëveshje me klubin Vllaznia, ata do të bojkotojnë stërvitjen dhe do të largohen. Pritet një mbleshje e Këshillit Bashkiak për të vendosur nëse do të kalojë buxheti apo jo. Problemi nuk është vetëm me lojtarët shkodran, por edhe me ata të huaj që nuk jetojnë në Shkodër, të cilëve u është hequr e drejta e shtëpive, që janë të paguara.
U kanë vendosur ultimatum nëse nuk paguajnë do i largojnë nga shtëpia. Restoranti ku drekojnë dhe konsumojnë drekat, darkat, mëngjesin, i ka vendosur ultimatum. Madje i ka nxjerrë një restorant, u ka thënë ‘largohuni se klubi nuk ka paguar’. Kjo është skandaloze. Për më tepër preket edhe personaliteti i lojtarit, është shumë e rëndë", thotë gazetari i Tv Ora.