
Skënnderbeu do të luajë ditën e nesërme sfidën e radhës në kampionat ndaj Flamurtarit. Pas fitores së arritur në mesjavë ndaj Partizanit, korçarët kërkojnë fitoren e dytë radhazi. Ditën e sotme në konferencën për shtyp në vend të trajnerit Daja ka folur zëvendësi i tij Gentian Liçi.
"Ishte një ndeshje e vështirë, karshi një ekipi që është kampioni i sezonit të kaluar, një ekip i fortë. Ishte ndeshja e parë e këtij viti dhe e treguam veten, duke marrë rezultat pozitiv. Kjo i jep moral ekipit për ndeshjet në vazhdim", u shpreh Liçi, i cili vijoi me analizën e tij.
"Ekipi ynë, ndaj ekipeve të kreut të tabelës gjithmonë ka treguar vlera. Nuk ishte e thjeshtë fitorja dhe marrja e tre pikëve. Patëm problemet tona në administrim, por në fund u fitua ndeshja dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme", deklaroi Liçi..
Vazhdimësia e Skënderbeut? "Kemi pasur luhatje dhe është folur shumë për këtë pjesë. Kemi luajtur ndeshje shumë të mira dhe pastaj të këqija. Kjo tregon se duhet të jemi shumë të fokusuar te vazhdimësia, pavarësisht se kundër kujt ekipi luajmë. Janë shumë të rëndësishme tre pikët, ndaj çdo skuadre. Këtë duhet të bëjmë nesër".
Objektivi ndaj Flamurtarit? "Kemi punuar këto kohë, stafi dhe të gjithë të tjerët. Me ekipet e ashtuquajtura të dobëta kemi pasur probleme. Mendoj se nesër duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Skënderbeut, pavarësisht se kundër kujt luajmë. Është shumë e rëndësishme të marrim tre pikët e radhës. Sigurisht futemi në fushë vetëm për tre pikët", përfundoi Liçi.