
Në Federatën Shqiptare të Futbollit është zhvilluar një takim mes Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, Shefit të Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi dhe anëtarëve të klubeve të Kategorisë së Parë, për të pasur një garë sa më kompetitive për 4 sezonet e ardhshme, 2019-2023, raportohet në faqen zyrtare të FSHF-së.
Qeveria e futbollit shqiptar ka dhënë kohë deri në datën 5 qershor për të marrë sygjerimet përkatëse dhe më pas për të marrë një vendim përfundimtar.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar takimet konsultative me klubet e Kategorisë së Parë për rishikimin e strukturës dhe formulës per 4 sezonet e ardhshme, 2019-2023.
Sekretari Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, së bashku me Shefin e Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, njohën klubet me opsionet në lidhje me formulën e Kategorisë së Parë, për të pasur një garë sa më kompetitive deri në javën e fundit të sezonit. Në të njëjtën kohë, skema e re synon që të nxisë klubet të përafrojnë kushtet sipas standarteve të licensimit, për të qënë sa më afër nivelit me klubet e Kategorisë Superiore. Sekretari Shulku dëgjoi me kujdes sugjerimet e përfaqësuesve të klubeve, dhe vendosi që t'i dërgohen variantet përfundimtare së bashku me sugjerimet përkatëse, për të marrë komentet përfundimtare deri më datë 5 Qershor.
Propozimi final i dakortësuar do të dërgohet në Komitetin Ekzekutiv për miratim.